Është padyshim pija më në modë që ka kuriozuar komunitetin e amatorëve dhe profesionistëve të kafes ndër vite, edhe pse popullaritet ka marë vetëm këto vitet e fundit. Kur vizitova panairin “World of Coffee” në Berlin, nuk kishte stendë që të mos e sillte Cold Brew në versionin e saj. Dikush të pregatitur në moment, dikush kishte arritur të krijonte shishet apo kanaçet e veta me Cold Brew. Dikush tjetër kishte shpikur një makineri edhe më moderne, edhe më praktike për ta sjellë atë në versionin Nitro (mendo birrë në kriko por me kafe). Ishte eksperiencë më vete ta provoje të bërë nga njerëz të cilët i dedikojnë shumë mund dhe kohë krijimit të saj. E megjithatë, aspekti im i preferuar i të bërit Cold Brew është ta gjej kafen gati kur zgjohem në mëngjes.
Edhe pse Cold Brew është mjaft delikate dhe shijohet më mirë e pregatitur nga profesionistët, shumë firma kanë bërë një punë të shkëlqyer për ta sjellë pijen e famshme në aparate të thjeshta e të përdorshme nga të gjithë.
Immersion apo Drip?
Ky është dallimi kryesor që ndan dhjetra metodat e përgatitjes së kafes Cold Brew. Immersion pëfshin zhytjen e kafes së bluar në ujë të ftohtë për disa orë. Më pas kafja kullohet dhe kaq. Pa shumë mundim, sapo përftove një kafe me aciditet të ulët dhe me më pak kafeinë. Në fakt kjo ka qenë qasja ime herën e parë që unë kam pregatitur Cold Brew.
Për Fillestarët:
Cold Brew Kit nga Goat Story
Në ka një metodë që kërkon zero njohuri e mund është ajo e firmës Goat Story. Kafeja vjen e paketuar në zarfa 40 g dhe enën e posaçme për t’u bërë dhe ruajtur. Zarfi vihet në enë, mbulohet me 500 ml ujë të ftohtë dhe lihet deri në 24 orë. Bonus: mund të zgjedhësh midis dy kafeve të disponueshme në dyqanin e tyre online, një nga Etopia dhe një nga Burundi. Nuk është për ata që duan ta bluajnë kafen në çast dhe të kenë lirshmëri në llojin e kafes që përdorin, por është zgjidhja perfekte për ata që s’dinë nga t’ja fillojnë.
Për Efikasët:
Hario Cold Brew
Kana për Cold Brew e Harios është sipas meje metoda më e thjeshtë dhe “forgiving” kur vjen puna për të bërë Cold Brew. Kafen e bluar trashë e hedh në dhomën e filtrit dhe pjesën tjetër të kavanozit e mbush me ujë. Raporti kafe:ujë që këshillohet është 80g kafe për çdo 1L ujë. Lihet në frigorifer për 12 orë dhe voila!Unë e lë në frigorifer gjatë natës dhe të nesërmen në mëngjes heq filtrin e mbushur me kafe dhe e ruaj Cold Brew në frigorifer për disa ditë. Kafja me këtë metodë del goxha e përqëndruar, prandaj dhe unë e holloj me ujë, akull, ose qumësht kokosi. E bukura e koncentratit është që mund ta përdorësh në lloj lloj mënyrash. Përveç metodës së lartpërmendur, mund ta përdorni si bazë për limonata apo koktejle, opsionet nuk kanë fund.
Për Nikoqirët:
Cold Brew në French Press
Ke një French Press por as nuk të shkon ndërmend të bësh kafe të nxehtë tani në verë? Provo të bësh një Cold Brew me French Press. Nuk të duhet të blesh asnjë pajisje ekstra dhe kjo për trurin tënd nikoqir është fitore.
Për Guximtarët:
Drip Cold Brew
Ke eksperimentuar mjaftueshëm me metodat Immersion dhe mezi po pret ta lësh pas jetën tënde si amator? Ndryshe nga metodat Immersion, metodat Drip përfshijnë filtrimin e kafes teksa uji pikon mbi të. Shpeshherë mund t’i keni parë si kullat e gjata e të komplikuara në banakët e kafeneve “fancy” që duan 12 orë ta bëjnë kafen, por mos u shqetësoni. Këtu do të përmend vetëm aparatet Cold Brew që janë “home friendly”. Aparatet Drip variojnë goxha në çmim dhe përmasë, prandaj sigurohuni që keni një kënd në kuzhinë që mund t’ja dedikoni kafes para se të investoni në një të tillë. Më poshtë po listoj disa prej tyre:
Dripster
Dripster është i ri në skenë, dhe shumë e konsiderojnë si një ndër aparatet me raportin më të mirë cilësi/çmim. Uji i ftohtë bie mbi kafen nëpërmjet një valvule të manovrueshme që mund ta fiksoni sipas dëshirës (standardi është një pikë ujë/sekondë).
Bruer
Shumë i ngjashëm në parim me Dirpster, Bruer ia ka dalë të sjellë aparatet e famshme profesionale me skelet druri që gjenden në kafenetë Specialty në versionin shtëpiak.
Hario Shizuku Cold Drip Brewer
Nuk mund të mungonte një aparat Hario edhe në këtë listë. Ajo që më pëlqen tek Hario është se si firma synon gjithmonë thjeshtësinë dhe prakticitetin pa sakrifikuar konceptin e “slow coffee” dhe marjen seriozisht të pregatitjes së kafes. Edhe pse metodat drip kërkojnë sasi të konsiderueshme kohe, receta standarde e këtij aparati kërkon vetëm dy orë! Në ndryshim nga dy aparatet më lart, ritmi i pikimit të ujit është i paracaktuar dhe nuk mund të ndryshohet. Uji filtrohet nga një sitë metalike e cila nuk nxjerr kafen më “clean”, prandaj nëse jeni fans të filtrave të letrës ndoshta kjo nuk është metoda e duhur.
Jam e sigurt që teksa kam shkruar këtë artikull, është shpikur një aparat i ri Cold Brew. Është e vështirë të kapësh ritmin e një industrie kaq dinamike! Megjithatë, metodat e mësipërme ju japin një ide të mirë të llojeve dhe koncepteve kryesore të aparateve. Cilado qoftë metoda që do të zgjidhni, rëndësi ka dëshira për të filluar eksperimentimin. Në këtë aspekt, duhet të jemi të gjithë nga pak “Guximtarë”.