Mund t’i numëroj me gishtat e dorës rastet kur kam porositur Cappuccino në një kafene shqiptare dhe nuk ka vijuar pyetja: “Me kafe apo me bustinë?” Si entuziaste e kafes kjo pyetje më bën të përtypem sa herë e dëgjoj dhe ende nuk e kam kuptuar kush ishte i pari që hodhi idenë që Cappuccino me bustinë të shërbehet në kafene. Kafenetë janë supozimisht vendi ku shkohet për të pirë një kafe të ekzekutuar siç duhet nga baristë profesionistë. Është paradoksale të shërbesh një pluhur të tretur në ujë, në vend të Cappuccino-s së vërtetë. Është çuditerisht (ose jo) një fenomen tipik shqiptar, që vështirë se e has në ndonjë cep tjetër të globit.
E parë nga kënde të ndryshme:
Për bizneset, kjo është një nga shume mënyrat e uljes së kostove. Bustinat kushtojnë më lirë dhe kursejnë kohë (dhe mundin e të bërit kafen dhe qumshtin siç duhet.)
Për ata që janë mësuar ta dëgjojnë dhe nuk u bën pershtypje, përdor gjithmonë të njëjtën analogji: Është njësoj si të të shërbejnë verë kartoni në një Wine Bar (jo se kjo e fundit është ndonje çudi e madhe në vendin tonë të mbushur me paradokse).
Ndërsa për ata që preferojnë Cappuccino-n me bustinë në vend të asaj me kafe, diagnoza është e qartë: Nuk kanë provuar kurrë një Cappuccino të bërë siç duhet.
Kam vënë re praninë e një miti tjetër: Cappuccino me bustinë është më ‘e lehtë’. Lehtësia i referohet rëndom përqindjes se kafeinës, por ja që edhe kjo nuk qëndron. Kokrrat e kafes që përdoren zakonisht për produkte të tilla janë zakonisht Robusta (pra me pak cilësore dhe me përqindje më të lartë kafeine). Një kafene e mirëfilltë që përdor kafe Arabica (më cilësore dhe me gjysmën e sasisë së kafeines së Robustës) është zgjidhja edhe për këtë problem.
Besoj që është e dukshme se sa absurd më duket koncepti i bustinave dhe duke qenë se nuk i konsideroj fare si Cappuccino, nuk po zgjatem shumë tek to dhe po kaloj tek 5 Gabimet që kam vënë re në bërjen e Cappuccino-s në kafenetë shqiptare.
Gabimi nr. 1:
Themeli është padyshim një ekspres i bërë siç duhet. Në rastin e Cappuccino-s abuzimi që kam vënë re në vendin tonë lidhet me një keqkonceptim: “Hë se me qumësht është, nuk dallohet shumë kafeja.” Në vend që të përpiqemi të nxjerrim në pah nuancat e kafesë duke i përzier me ato të qumështit, kemi tendencën t’i fshehim ato. Qëllimi i përzierjes së kafes me qumështin është krijimi i një profili të ri shijeje që bashkon nuancat e qumështit dhe ato të kafes. Mund të bëj një listë të gjatë me vende në Tiranë ku kam pirë Cappuccino ku nuk dallohet asnjë lloj nuance e kafesë.
Gabimi nr. 2:
Më pas vjen padyshim teknika e qumështit: Shumë i hollë dhe përfundon duke bërë një latte, shumë i trashë dhe përfundon me qumësht të djegur dhe një mal me shkumë që thjesht rri sipër tij, si një shtresë e veçuar. Ajo që na duhet është ajo që quhet “wet foam” pra mikroshkuma me shkëlqim dhe jo ajo e thata dhe poroze që lë efektin e mustaqeve prej shkume kur e pi. Kur hidhet në filxhan, qumështi i ngrohur ndahet nga shkuma duke krijuar kështu tre shtresa: kafe, qumësht i ngrohur dhe në fund mikroshkuma (e cila në rastin e Cappuccino-s nuk duhet të jetë më e trashë se një gisht). Një raport i mirë i këtyre tre shtresave është 1:2:2. Gjë që më çon tek gabimi tjetër:
Gabimi nr. 3:
Nëse i keni hedhur një sy artikullit “Si të porosisësh në një kafene Specialty” mund t’ju vijë ndërmend pjesa kur kam folur për rëndësinë e raportit dhe masave qoftë për raportin kafe:ujë ashtu edhe për atë kafe:qumësht. Kur vjen puna tek capuccino, e kuptoj menjëherë. Nëse filxhani është më i madh seç duhet, gjasat janë që është mbytur në qumësht. Një Cappuccino e bërë në një filxhan për Latte apo edhe më të madh se për Latte nuk ka më raportin 1:2:2 (dhe si pasojë nuk është më një Cappuccino). Mesatarisht, një filxhan për Cappuccino duhet të jetë rreth 150 ml.
Gabimi nr. 4:
Temperatura është fjalë kyçe në çdo artikull timin mbi pregatitjen e kafes dhe kjo jo pa arsye: komuniteti i kafes në mbarë botën është dakord me faktin se edhe një diferencë në dukje e vogël prej 2-3 gradë Celsius ka një impakt shumë të madh në rezultatin final. Si aplikohet kjo tek Cappuccino? Së pari, filxhanët apo gotat duhet të jenë të ngrohtë qoftë nga qëndrimi sipër ekspresit, apo duke i parangrohur me ujë të ngrohtë. Së dyti, qumështi duhet të ngrohet jo më shumë se 60 gradë Celsius për të shmangur djegien e tij.
Gabimi nr. 5:
Kanellë, dizajne me shurup cokollate dhe lloj lloj fasadash te tjera. Më vjen keq që fokusi është zhvendosur totalisht tek aparenca. Është mëse ok të të pëlqejë kombinimi Cappuccino-kanellë, për sa kohë që Cappuccino është e bërë siç duhet dhe kanella nuk të ofrohet si ‘bonus’ për të toleruar një Cappuccino të bërë keq. Të përpiqesh të shpërqendrosh konsumatorin me pak pluhur kanelle është qasja e gabuar.
Pa kaluar në detaje të tjera teknike po ju bëj një listë me gjërat kryesore që do doja të mernit nga ky artikull:
- “Cappuccino” me bustinë është një fenomen të cilit duhet shpallur luftë, në kafene nuk shkohet për të pirë pluhur supermarketi të tretur në ujë. Me vjen keq që krijojmë pabarazi kaq të thella dhe i ofrojmë konsumatorëve shqiptarë të tilla produkte. Më duket një formë diskriminimi ndaj tyre.
- Disa indicie për të gjykuar nëse një Cappuccino është bërë siç duhet janë trashësia dhe konsistenca e qumështit (shkumë më e trashë sa shkuma e një latte, por më e hollë se ajo ku flluskat dallohen me sy të lirë) dhe masa e filxhanit (rreth 150 ml).
- Është totalisht ok të duash të hedhësh copa çokollate, pluhur çokollate, kanellë, apo lot njëbrirëshi mbi Cappuccino, për sa kohë që je i vetëdijshëm për produktin që po merr dhe për sa kohë që këto të fundit nuk përdoren nga kafenetë për të maskuar një Cappuccino të bërë keq.