Ky është ndër ata artikuj që kisha planifikuar të mos e përshtasja në Shqip, por pas një sondazhi në Instagram, shumica votuan që të ulem e ta përshtas. Shkëndija që më dha idenë për një artikull të tillë është pa dyshim fytyra e mbushur me konfuzim dhe hezitim e miqve te mi sa herë që shkojmë në një kafene Specialty (pra gjithmonë, sepse gjithmonë perfundojmë duke frekuentuar një të tillë). Në fakt i jap plotësisht të drejtë sepse le të themi që jo gjithmonë është e qartë për një klient se çfarë ofron një vend i tillë.

Më poshtë, keni disa pika referimi për t’u orientuar më lehtë herën tjetër kur ndodheni jashtë Shqipërisë dhe ju rastis të vizitoni një kafene Specialty.

Ekspres apo filter

Dallimi më themelor është ai midis kafesë filtër dhe ekspres. Kujdes, nuk përdoren të njëjtat lloje kafesh për secilën. Një kafene mund të ofrojë një kafe Etiopiane në filtër dhe një Kolumbiane në ekspres. Kjo ndodh kryesisht sepse kafeja për filtër piqet më lehtë se ajo për ekspres.

Mishela e Shtepise dhe ajo e “Mikut”

Ky dallim nuk është aq i dukshem sa i pari. Disa kafene e bëjnë të thjeshtë për klientin të kuptojë që ka dy apo më shumë lloje kafesh nga të cilat mund të zgjedhësh. Psh: Ekspres nga El Salvador dhe një tjeter nga Kenya. Zakonisht kafenetë Specialty mbajnë një mishelë të caktuar standarde “Mishela e Shtëpisë” dhe një tjetër që e ndërrojnë vazhdimisht prandaj dhe emri “Mishela e Mikut”. Kujdes, termi “Mishela e Mikut” jo gjithmonë i referohet me doemos  një mishele. Është thjesht një menyrë të thëni. Mund të tingellojë paradoksale por “Mishela e Mikut” është shumicën e kohës një Mono Origjinë (jo mishelë)!

Masa

Harrojeni zhargonin à la Starbucks Latte “e madhe” “e mesme” “gjigande”. Këtu jeni në një zonë kafeje të mirëfilltë. Zanat mbrapa banakut kanë hequr të zitë e ullirit që të krijojnë receten ideale (dhe kjo përfshin raportin kafe:ujë) për secilën kafe dhe metodë. Në fund të fundit, një cappuccino quhet nje cappucino sepse ka një raport të caktuar kafe:qumësht. I vetmi ndryshim i pranueshëm është të kërkosh një ekspres të shkurtër ose të gjatë. Premtoj që nuk do t’ju shikojnë vrenjtur nëse kërkoni një « ristretto » në vend të ekspresit normal.

Temperatura

Këtu aplikohet i njëjti koncept si tek masa. Kafja ka shije të ndryshme në temperatura të ndryshme dhe pas eksperimenteve të shumta secili barist qëndron tek një temperaturë e caktuar e ujit që përdoret. E njëjta gjë vlen edhe për temperaturën e qumshtit. Konkluzioni? Shmangeni frazën « Ekstra e nxehtë »

Koha

Aseti më i madh i një kafeneje Specialty janë njerëzit. Një grup profesionistësh që ja kanë dedikuar jetën e tyre misionit për të bërë një kafe më të mirë. Patjetër që një ekspres do vetëm 30 sekonda të dalë, por ka hapa të tjerë para shtypjes së butonit. Pastrimi i lugës së ekspresit, peshimi i saj, shpëlarja e grupit.. Lista vazhdon. Oh, dhe nëse jeni me nxitim, ndoshta nuk është ide e mirë të porosisni një V60 ose metoda të tjera manuale të cilat kërkojnë edhe më shumë kohë.

Provo Dicka Ndryshe

Ka vetëm një mënyrë si mund të fillosh të vlerësosh origjinat dhe varietetet e kafes: të kesh një mendje të hapur. Një Kenya e bërë në V60 mund të ketë një konsistencë dhe profil shijeje komplet ndryshe nga ai me të cilin ju jeni mësuar në një makiato klasike shqiptare, por pritshmeritë e paluajtshme nuk i kane bërë ndokujt nder. Harrojeni si duhet dhe si nuk duhet të shijojë kafeja dhe çfarë trashësie duhet apo nuk duhet të ketë, dhe do ta keni më të lehtë të pranoni « te renë ».

Këto janë pikat kryesore që më erdhën në mendje. Shumicën i kam kaluar personalisht mbi shpatulla kur kisha ende shumë pak informacion mbi kafen Specialty.

Qëllimi i këtij artikulli ishte t’ju jepja ca udhëzime të shpejta mbi kafenetë Specialty dhe t’ju hiqja hezitimin dhe intimidimin që vende te tilla paksa “teknike” shkaktojnë dashje pa dashje.

Ah, edhe dicka! Mos u largoni pa bërë një dorë muhabet me baristat! Ata janë gjithmonë shumë të gatshëm të ndajnë njohuritë, t’ju shpjegojnë koncepte të reja, apo t’ju sugjerojnë kafe të ndryshme në bazë të preferencave tuaja.

Columbia Supremo

Pin It on Pinterest