Kohët e fundit kanë qarkulluar në rrjete sociale disa video ku Coronavirus-i është përdorur metaforikisht si një thirrje për t’u ndalur. Një thirrje e natyrës për të ndalur ritmin tonë galopant dhe për t’u ndërgjegjësuar sadopak për dëmet që po i shkaktojmë asaj. Për t’u ndërgjegjësuar ndaj asaj që na rrethon, ndaj kohës që është kthyer tashmë në luks, pikërisht prej flluskës ku kemi ngecur e që e kemi krijuar po vetë. Dalja nga zona e komfortit të bën të reflektosh dhe reflektimi nuk është asnjëherë i keq. Rutinat tona kanë ndryshuar katërcipërisht dhe është pikërisht momenti për të marë pak kohë (të cilën tani e kemi me shumicë) dhe për të reflektuar.

Kur kam dalë këto kohë gjatë fashave të lejuara më janë kursyer disa pamje që më trishtojnë: të rinj që dalin për t’u socializuar e për të pirë kafe, por që fatkeqësisht nuk bëjnë asnjë nga të dyja. Shumë të përqëndruar në ekranet e telefonëve të tyre jo vetëm që nuk socializohen por duken totalisht të pandërgjegjshëm për atë çka po pijnë. E në fakt, e tillë ka qenë me kohë kultura jonë e kafes, e lidhur ngushtësisht me ritualin që kafja përfaqëson dhe pothuaj fare me kafen si pije. Nëse vërtë do ishim popull kafedashës e jo kafene-parazito-dashës, do kishim të paktën nja 2-3 vegla për të bërë një kafe të denjë në shtëpi.

Por ja ku jemi, kafenetë u mbyllën dhe përveç një xhezveje që po ndryshket nuk dimë ku të përplasemi tjetër.  (Nuk kam asgjë kundra kafesë turke, por fakti që e shohim si alternativën e vetme të bërjes së kafes në shtëpi është mit). Kemi ngecur aq keq në flluskën e ekspresit të djegur të bërë rrëmbimthi nga banakierë që nuk marin mundimin të shpëlajnë lugën plot llumë nga kafeja e mëparshme, apo të pastrojnë gypin e avullit plot qumësht që zë kore nga mos pastrimi. Nuk e dimë (ose refuzojmë të kuptojmë) që në fakt, kafeja e bërë në shtëpi nuk ka pse të kufizohet tek pluhurat e gatshëm, kapsulat, apo bustinat.

Ka ardhur koha të kuptojmë se kafeja e bërë në shtëpi nuk ka pse të jetë inferiore ndaj asaj të bareve, madje përkundrazi: Ku ka më mirë se të kesh kontroll të plotë mbi llojin e kafes që përdor, ujin, apo bluarjen. Për më tepër të kesh kontroll mbi higjienën që është një domosdoshmëri në momentet që po kalojmë (jo rrallëherë i shpreh hapur rezervat e mia mbi higjienën e bareve në Shqipëri). Unë kam qenë gjithmonë partizane e kafes në shtëpi dhe shpeshherë postoj në Instagramin tim receta apo metoda të ndryshme. Moka, French Press, Aeropress, V60, Chemex, Cold Brew janë vetëm disa nga metodat manuale që mund të përdoren fare mirë në shtëpi përpos kafes turke.

Foto marrë nga: @jeffreyhh

Merni pak kohë dhe reflektoni. Nuk kemi humbur ndonjë gjë të madhe. Përkundrazi. Një «çmësim» nga eskpresi i djegur i mbiekstraktuar i lagjes mund të jetë gjëja më e mirë që ju ka ndodhur këto kohë (pas pastrimit të ajrit nëpër qytete). Koha e shpenzuar kafeneve duke gjerbur kafe të mbi pjekura e jo cilësore ndërkohë që lundronim tërësisht të pavetëdijshëm në rrjetet sociale ishte tërësisht e panevojshme. Mjafton të reflektoni pak për të kuptuar se ajo mund të zëvendësohet me 1001 alternativa më  produktive (dhe me kafe goxha më cilësore). Kjo që po ndodh është patjetër shokuese, por ajo çka kemi në dorë është mënyra si reagojmë. Është një zgjedhje për të ngecur përsëri në flluskën ku ishim, ose për t’u çliruar prej saj. Kafet u mbyllën, po tani?

you're currently offline

Columbia Supremo

Pin It on Pinterest