Edhe nëse nuk e pëlqen fare kafen, nuk është e vështirë ta hasësh rëndom në Instagram kafen më të famshme të momentit. Ajo çka shumë nuk dinë është se kafja Dalgona nuk është risi e sjellë gjatë karantinës. E përdorur prej kohësh në vende të ndryshme të Azisë ajo e mori emrin sipas snack-ut të ëmbël “Dalgona” në Korenë e Jugut.


Kramelja në formë lëpirëseje Dalgona

Megjithatë duhet pranuar që ishte pikërisht periudha e karantinës ajo që i dha famë botërore. Në Korenë e Jugut njerëzit nuk para mbajnë pajisje për të pregatitur kafe në shtëpi prandaj kafeja Instant (ajo pluhur që tretet në ujë) është një alternativë e mirë për t’u kafeinuar kur kafenetë janë të mbyllura. Për më tepër, tani që jemi të gjithë duke kërkuar për mënyra për të vrarë kohën, çdo aktivitet që zgjat më shumë se dhjetë minuta duket si bonus. Mua më kujtoi menjëherë Frappe-në Greke të cilën nuk e preferoj sepse kafeja Instant nuk është gjë tjetër veçse kafe Robusta e cilësisë inferiore me përmbajtje të lartë kafeine dhe shije të hidhur e të djegur. Megjithatë, vendosa ta provoj sepse qindra postimet #Dalgona apo #달고나커피 (në gjuhën Koreane) ja dolën të më thyejnë edhe mua, partizanen e kafes Specialty që deri para një muaji as nuk do ta kishte menduar që do ishte e mbyllur në shtëpi duke eksperimentuar me kafen Specialty.

Receta e Kafes Dalgona

Receta e kafes Dalgona është shumë e thjeshtë. Kafeja Instant, Sheqeri, dhe uji i ngrohtë (i sapozier) përzihen në raport 1:1:1 derisa të krijohet konsistenca e dëshiruar.

Përbërësit

  • 2 lugë gjelle kafe Instant
  • 2 lugë gjelle sheqer
  • 2 lugë gjelle ujë i ngrohtë
  • Qumësht
  • Akull
  • Opsionale: kakao pluhur/çokollatë e grirë/copa çokollate

Udhëzime

Hedhim kafen, sheqerin dhe ujin në një tas dhe i përziejmë me rrahës dore ose elektrik derisa shurupi i krijuar të mari trajtën e një shkume ngjyrë karameli me konsistencë marenge.

Sa më shumë ta rrihni, aq më shume ajër inkorporohet tek kremi dhe ky i fundit bëhet më i lehtë e kremoz.

Në një gotë hedhim akullin, qumështin (deri tek 2/3 e gotës) dhe në fund marim kremin e krijuar me lugë dhe e shtrojmë sipër. Sipër mund t’i hidhni kakao pluhur, çokollatë të grirë, ose copa çokollate. Mund ta përzieni sa të dëshironi por unë e përzieva derisa u krijua një masë homogjene dhe të dyja shtresat u shkrinë me njëra tjetrën.

Ndryshime të vogla

Sheqeri: Unë e provova me sheqer normal, por mundet fare mirë të eksperimentoni me ëmbëlsues natyralë si sheqeri i kokosit. Nëse doni ta përjashtoni totalisht sheqerin mund ta bëni, por shkuma nuk do të jetë mjaftueshëm poroze.

Qumështi: Patjetër që qumështi mund të zëvendësohet shumë mirë me alternativa vegane si ai i bajames apo kokosit.

Kafeja: Do doja shumë të kishte alternativa edhe për këtë, por fatkeqësisht përveç kafes Instant në version Specialty, kafeja ekpres apo filtër nuk e krijon dot konsistencën e dëshiruar.

Verdikti

Të them të drejtën, u kënaqa duke e filmuar këtë video. Rezultati final doli vërtetë shumë i bukur estetikisht, gjë që shpjegon pjesërisht famën e Dalgonas në rrjetet sociale. Për sa i përket shijes, isha e sigurt për një gjë para se ta provoja: do ishte shumë e embël. Kjo sepse u bëra kurioze dhe peshova përbërësit para se ta bëja. Vërtetë ka vëllime të barabarta kafeje e sheqeri, por pesha është tjetër gjë. Rezultoi që për 10 gramë kafe u deshën plot 33 gramë sheqer. Për sa i përket shijes, nuk kishte ndonjë ndryshim nga frape-ja klasike dhe notat e hidhura dhe të djegura nuk maskoheshin nga sheqeri (vetëm nga qumështi disi). E megjithatë, konsistenca kremoze ishte një thyerje nga rutina ime rigoroze e kafes filtër. Më bëri të dua të eksperimentoj më shumë kafen, teksurat e ndryshme dhe mënyrat e alternimit te kafes me qumështin dhe kjo nuk është asnjëherë gjë e keqe. Nuk do ta ndërroja asnjëherë kafen filtër me Dalgonan, por nëse doni të ndryshoni pak rutinën, të ushtroni muskujt e krahëve dhe të provoni diçka ndryshe një eksperiment mund t’ja vlejë.

Columbia Supremo

Pin It on Pinterest