Kombinimi i kafes dhe limonit mund të duket i pazakontë, por kjo dyshe është shijuar për shekuj me radhë në kultura të ndryshme. Notat e freskëta të agrumta të limonit ofrojnë një kontrast të këndshëm kundrejt shijes komplekse të kafes, duke krijuar një përvojë të veçantë shijimi. Nëse jeni kuriozë të provoni këtë kombinim intrigues, ja tre pije të këndshme për të eksploruar. PS: Ju sugjeroj që kafeja që do përdorni të ketë pjekje të lehtë ose të mesme dhe jo të errët, pasi hidhësia e tepërt nuk është asnjëherë atribut, as në këtë rast.
Mazagran: Limonata Origjinale me Kafe
Mazagran, shpesh e quajtur “kafeja origjinale e ftohtë,” vjen nga Algjeria dhe është një nga shembujt më të vjetër të kombinimit të kafes me limon. Tradicionalisht, kjo pije përbëhet nga kafe e fortë (theksoj që unë e kam provuar me kafe të pjekur lehtë sepse #lightroastistherightroast), lëng limoni i freskët, sheqer dhe akull. Rezultati është një pije e mprehtë dhe freskuese, perfekte për ditët e nxehta të verës. Origjina e saj si një pije që u shërbehej ushtarëve francezë në Afrikën e Veriut i jep një dimension historik, por sot, ajo shijohet nga entuziastët e kafes në mbarë botën.
Si të Përgatisni Mazagran:
Dy shote ekspresi ose 240 ml kafe filtër, mundësisht gradë Specialty
Dy tbsp sheqer kaf
Katër deri në pesë tbsp lëng të freskët limoni (ose lime)
Disa feta limoni (ose lime)
Një grusht akull të grimcuar
Disa gjethe menteje
Ujë me gaz sipas dëshirës
Vendosim të gjithë përbërësit (përveç ujit me gaz) në shaker ose kavanoz dhe tundim derisa të krijohet një masë e ajrosur mirë me shkumë sipër. Në fund i shtojmë ujë me gaz sipas dëshirës. Mund ta shumëfishoni recetën dhe të përgatisni një shishe që mund të ruhet në frigorifer për 2-3 ditë.
Cold Brew me Limonatë të Gazuar: Një Qasje Moderne
Për ata që shijojnë pije të gazuara, Cold Brew me Limonatë të Gazuar është një qasje moderne e kombinimit kafe-limon. Kjo pije kombinon kafenë Cold Brew me limonatën e gazuar, por ndryshe nga receta më sipër, në vend të përzierjes dhe ajrosjes, krijohen dy shtresa të veçanta: limonata poshtë dhe kafja cold brew sipër. Duke qenë se Cold Brew është më pak i koncentruar se ekspresi, krijohet një pije goxha më delikate, pothuajse në teksturën e një çaji të ftohtë.
Si të Përgatisni Cold Brew me Limonatë të Gazuar:
Përgatisni një sasi Cold Brew (për recetën e Cold Brew lexo këtu: https://columbiasupremo.com/2020/09/02/nga-nje-metode-cold-brew-per-te-gjithe/
Mbushni një gotë me akull dhe hidhni limonatën e gazuar deri në gjysmë
Përfundoni gjysmën tjetër të gotës me Cold Brew
Përziejeni lehtë dhe dekorojeni me një fetë limoni
Affogato me Akullore Limoni: Një Ëmbëlsirë e Ëmbël dhe e Thartë
Për ata që kanë dëshirë për të ëmbla, Affogato me Akullore Limon është një pije/ëmbëlsirë perfekte që kombinon kremozitetin e pasur të akullores me forcën e kafes ekspres dhe freskinë e limonit. Tradicionalisht, një affogato përmban akullore me vanilje “mbytur” në një shot ekspresi, por ky version përdor akullore me limon për të shtuar nota të athëta. Ekspresi i nxehtë që dalë-ngadalë shkrin akulloren, krijon një ëmbëlsirë kremoze, të thartë dhe komplekse që është thjesht e parezistueshme.
Si të Përgatisni Affogato me Akullore Limon:
Vendosni një porcion të bollshëm të akullores me limon në një gotë të gjerë
Vendoseni gotën poshtë lugës së ekspresit
Përgatisni një shot eskpresi ose një double shot (në varësi të sasisë së akullores) mbi gotën me akullore
*Mund ta dekoroni me biskota sablé të thërrmuara dhe borzilok të freskët për një prekje “gourmet” ose të përgatisni akullore me limon dhe borzilok nëse e përgatisni vetë në shtëpi akulloren
Është pak, por e sigurt: kombinimi i kafes dhe limonit ofron një përvojë shijeje freskuese dhe të papritur. Këto pije tregojnë se sa e gjithanshme mund të jetë kafeja, veçanërisht kur kombinohet me përbërësit e duhur. Mjafton të dalësh pakëz nga zona e komfortit dhe mund të gjesh mënyra të reja për ta shijuar! PS: një eksperiment gjithashtu shumë interesant është të provoni recetat e mësipërme me origjina të ndryshme kafesh Specialty. YUM!