Këtë verë vizitova për herë të parë Prishtinën. Grupi Nouvelle Vague bëri një ndalesë në Prizren gjatë turit të kësaj vere dhe meqë nuk para ndodh të shkoj në Kosovë doja ta hiqja edhe Prishtinën nga lista. E nxitur nga një artikull i Bonvivant “Prishtina pothuaj vegjetariane” (https://bonvivant.al/prishtina-pothuaj-vegjetariane/) doja që gjatë kohës time atje të provoja sa më shumë vende kreative dhe që tentojnë të sjellin diçka përtej kuzhinës italiane dhe kapuçinos me bustinë. Ajo që nuk dija ende, ishte që gjuetia për ushqim të mirë do më çonte në një zbulim surprizues në lidhje me kafen.

Për ju që nuk e njihni anën time foodie mund t’ju jap një ide shumë shkurt: tasi im me tërshërë përmban gjithmonë turmeric, mjedra dhe gjalpë kikriku, dhe hera e vetme që kam tentuar të bej dicka me petë ka qenë një tartë me fiq dhe gorgonzola. Mendoj se ushqimi i mirë, është një tregues i cilësisë së jetës, dhe çelësi qëndron më shumë tek kreativiteti se sa shtrenjtësia e ingredientëve apo koha që duhet për ta gatuar. Personalisht i shijoj shumë ushqimet e shëndetshme, dhe teksa po rilexoja artikullin e mikeshës time në Bonvivant rrugës për në Prishtinë, iu futa gjuetisë. Vende si Green and Protein dhe Soma ma bënë qëndrimin atje më të bukur (dhe të shijshëm) por këtë artikull ja kam dedikuar një vendi të vetëm: Tartine.

 

Të gjeja Tartine ishte më e vështirë se mendoja. Një pjesë e mirë e vendeve mbyllen të dielën dhe për më tepër ata kishin ndryshuar vend. Megjithatë, kuptova se endja nëpër vapën e Qershorit atë të diel ja vlejti sapo pashe arredimin dhe menunë. Për një moment m’u duk sikur nuk isha në Kosovë. Kisha gjetur vërtetë një vend  të mirëfilltë për mengjes dhe brunch në vendin e qebaptoreve? Një vend ku croissant quhet një croissant të vertëtë me petë dhe gjalpë e jo brioshë me bukë të ngjeshur të ëmbël dhe çokokrem të lirë?

E megjithatë surpriza më e madhe ishte natyrisht opsioni Chemex në menu. Për ju që u intimiduat sapo lexuat fjalën Chemex është thjeshtë një metodë e bërjes së kafesë filtër. Një kanë qelqi që inkorporon një enë mbajtëse dhe një hinkë ku vendoset flitri i trashë prej letre. Një pjesë druri në mes për të izoluar nxehtësinë dhe një rrip lëkure për të parandaluar rrëshqitjen. Natyrisht që më shndritën sytë sapo e lexova në menu. Metodat alernative të bërjes së kafes janë pothuaj inekzistente ne Shqipëri dhe Kosovë. Megjithatë, jam e dzyuar për faktin se kafeja na u shërbye e pambaruar dhe na u desh ta përfundonim vetë procesin. Nga njëra anë, më pëlqen shumë ideja që për klientët bëhet më e prekshme si metodë. Është një mënyërë shumë e mirë për të hequr ndrojtjen dhe për t’u prezantuar njëkohësisht me konceptin e metodave alernative të bërjes së kafes. Nga ana tjetër, nuk më pëlqen fakti që duke u shërbyer kështu, sakrifikohet cilësia. Është shumë e thjeshtë të përfundosh më një kafe shumë të hidhur apo shumë të lehtë kur nuk e ke idenë se ç’po bën. Më tremb fakti që kjo mund të çojë në një gjykim të gabuar të kësaj metode dhe të kafesë filtër në përgjithësi.

 

Që kafeja të shprehë potencialin e plotë të saj ka disa elemente bazë që duhen përmbushur:

Kafeja – Kafeja e përdorur ishte larg së qenit Specialty dhe kjo dallohej lehtësisht nga shija e mbipjekur (dark roast) që të godet menjëherë. Për të pasur një rezultat sa më të kënaqshëm sugjerohet përdorimi i kafeve 100% Arabica të pjekura lehtë që lejon të dallohen nuancat delikate të varieteteve dhe origjinave nga ato vijnë dhe japin një rezultat më të balancuar.
Ibriku – Më pëlqeu që ibriku ishte nga ata që përdoren specifikisht për këtë lloj metode (gooseneck) duke thjeshtësuar kështu hedhjen e ujit në formë rrethore dhe me ritmin e duhur.

Raporti dhe koha – Një element kyç për të cilin kam folur edhe këtu:
https://columbiasupremo.com/2019/08/20/si-te-porosisesh-ne-nje-kafene-specialty/
Ka shumë rëndësi t’i përmbahemi një raporti të caktuar kafe:ujë. Do habiteshit po ta dinit se sa impakt ka nëse hedhim më shumë a më pak kafe/ujë seç duhet. Koha e bërjes është gjithashu themelore. Si për çdo metodë tjetër raportet dhe koha e bërjes për Chemexin variojnë dhe çdo barist ka recetën dhe mënyrën e vet të të bërit. Duke qenë se Chemexi u pregatit ne tavolinën tonë matja e kohës dhe raportit ujë:kafe ishte e pamundur. Kjo korrigjohet lehtë me perdorimin e një peshoreje me kronometër dhe një pregatitjeje më profesionale nga baristi në banak.

Filtri – Filtri ishte filtri i letrës që përdoret zakonisht me aparatin Chemex. Ky filtër është më i trashë se filtrat e përdorur për metodat e tjera, gjë që rezulton në një kafe më “të pastër” duke qenë se filtron një pjesë të mirë të vajrave që përmban kafja.

Përpos teknikaliteteve të mësipërme, i vlerësoj shumë për faktin që promovojnë Valën e Tretë të kafesë dhe kafenë filtër me metoda manuale. Mendoj se është një hap i parë i hedhur mirë por që ka nevojë për përmirësim. Me sa pashë ata kishin paraqitur edhe një aparat Syphon në banak por për këtë më duhet të rikthehem e ta investigoj siç duhet.

Tartine do ta vizitoja përsëri me shumë qejf. Megjithatë, do doja shumë që përveç fokusit tek ushqimi i kuruar të shihja një vëmendje më të madhe drejt kafesë. Tosti me vezë dhe guacamole do më kishte shijuar edhe më shumë me një Chemex të bërë siç duhet. Fundja, ku ka vend më të mirë për t’i kushtuar vëmendje kafesë se një vend mëngjesi?

Columbia Supremo

Pin It on Pinterest