Kur gratë ngrihen, lindin komunitetet: revolucioni i heshtur i kafes në Rwanda

Çdo 8 Mars, në mbarë botën tregohen histori për forcën dhe arritjet e grave. Kjo forcë mishërohet shumë qartë në Rwanda — një vend që u detyrua të rindërtojë jo vetëm ekonominë, por edhe vetë strukturën e shoqërisë. Në pranverën e vitit 1994, pas dekadash tensionesh etnike të ushqyera nga politika koloniale dhe propagandë politike, Rwanda u zhyt në një nga tragjeditë më të mëdha të historisë moderne. Brenda vetëm 100 ditësh, nje gjenocid mori jetën e rreth një milion njerëzve dhe la pas një vend të copëtuar nga dhimbja, trauma dhe humbjet e paimagjinueshme. Rwanda mbeti një shoqëri e rrënuar. Familje të tëra kishin humbur pothuajse të gjithë anëtarët e tyre dhe komunitetet ishin të përçara nga frika dhe trauma. Sot, më shumë se tre dekada më vonë, në shumë nga kodrat ku rritet kafeja e famshme e Rwanda-s, janë pikërisht gratë ato që kanë ndërtuar një histori të re — një histori rezistence, solidariteti dhe shprese. Për shumë prej tyre, kafeja nuk u bë vetëm një burim jetese, por edhe një mënyrë për të rindërtuar komunitetet e tyre dhe për të shëruar plagët e një kombi. Popullsia u bë kryesisht femërore, pasi një numër i madh burrash ishte vrarë ose burgosur. Në këtë realitet të ri, gratë nuk ishin vetëm viktima të tragjedisë — ato u bënë edhe arkitektet e rindërtimit të vendit.

Në shumë zona rurale, një nga mjetet më të fuqishme për këtë rindërtim u bë pikërisht kafja.

Kafja si një rrugë drejt shërimit

Sot, Rwanda njihet në botë për kafenë e saj Specialty. Por historia pas këtyre kokrrave nuk lidhet vetëm me lartësinë e plantacioneve, varietetet apo profilin e shijes. Ajo është një histori rezistence dhe ringritjeje. Për shumë gra në Rwanda, kultivimi i kafesë solli shumë më tepër sesa të ardhura. Kooperativat e kafesë u kthyen në hapësira ku gratë jo vetëm punonin tokën, por edhe rindërtonin jetën e tyre së bashku. Në këto komunitete të reja, ato filluan të krijonin sisteme mbështetjeje për njëra-tjetrën dhe për familjet e tyre. Fitimet nga kafeja shpesh investoheshin në arsim për fëmijët, në ushqim dhe në ndërtimin e shtëpive për familjet që kishin humbur gjithçka. Shumë gra krijuan edhe grupe kursimi për komunitetin, duke ndihmuar të mbijetuarit të fitonin stabilitet ekonomik. Në shumë raste, gratë u bënë edhe ura pajtimi mes komuniteteve që dikur i ndante dhuna. Duke punuar së bashku në ferma dhe në stacionet e përpunimit të kafesë, njerëzit filluan gradualisht të rindërtonin besimin dhe bashkëjetesën. Në këtë mënyrë, kafeja u bë shumë më tepër sesa një kulturë bujqësore.

Një përvojë nga terreni

Për të kuptuar më mirë këtë realitet, pata mundësinë të dëgjoja nga afër përvojën e një personi që ka jetuar mes fermerëve të kafesë në Rwanda. Gjatë një eventi të organizuar në kafenenë time, Antigua Specialty Coffee, mbi kultivimin dhe prodhimin e kafesë në origjinë, Rhi Cook ndau përvojën e saj duke jetuar në një fermë kafeje në Rwanda dhe duke bashkëpunuar me komunitete prodhuesish Një nga momentet më mbresëlënëse të tregimit të saj ishte vizita në një kooperativë të udhëhequr kryesisht nga gra — një përvojë që tregon më së miri se si kafeja mund të bëhet një instrument fuqizimi dhe rindërtimi shoqëror.

“Në Rwanda vizitova Twongere Umusaruro wa Kawa (TUK), një fermë dhe kolektiv kafeje i përbërë nga 125 gra dhe 10 burra, pak jashtë Parkut Kombëtar Akagera në pjesën lindore të vendit, në sektorin Rukara të distriktit Kayonza. Kjo ishte ndoshta një nga përvojat më të veçanta të udhëtimeve të mia. Nëse dini diçka për historinë e Rwanda-s, e dini se jo shumë kohë më parë vendi u përça nga një gjenocid që la pas trauma të thella për të gjithë, por gratë e përjetuan atë në mënyrë veçanërisht të rëndë. Prodhueset e TUK kanë kaluar përvoja të paimagjinueshme dhe, pavarësisht kësaj, sot janë të përkushtuara të krijojnë një sistem të qëndrueshëm që mund të mbështesë dhe të sjellë stabilitet për familjet dhe komunitetet e tyre.Këto janë gratë që më pritën gjatë vizitës sime. Ato më shoqëruan në çdo hap të procesit të prodhimit të kafesë, nga kultivimi deri tek përpunimi dhe në disa raste edhe pjekja. Shumica e kafesë nga TUK ruhet në formë të papjekur dhe dërgohet tek pjekës në mbarë botën. Më la shumë përshtypje fryma e bashkëpunimit dhe pasioni që kishin për atë që bëjnë. Kafeja e specialitetit për këta prodhues është një punë dashurie, jo një mall që konsumohet pa menduar në anën tjetër të planetit. Është një produkt që tregon historinë e bukurisë dhe pasurisë së tokës ku jetojnë. Është diçka që duhet shijuar dhe festuar, si një kujtesë e fuqisë së jashtëzakonshme që kanë dhe e rezistencës së popullit të tyre.Nuk do të pi më kurrë një filxhan kafe nga Rwanda pa menduar për duart që e kanë krijuar.”

Kliko këtu për të lexuar intervistën e saj të plotë: https://columbiasupremo.com/2024/06/26/stories-from-the-farm-rhis-coffee-adventures/ 

Roli i padukshëm i grave në industrinë e kafes

Megjithëse kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm, roli i grave në industrinë e kafesë shpesh mbetet në hije. Në mbarë botën, gratë kryejnë një pjesë të madhe të punës në prodhimin e kafesë — nga korrja deri te përpunimi — por historikisht kanë pasur më pak akses në pronësi toke, financim dhe vendimmarrje. Në Rwanda, procesi i rindërtimit pas gjenocidit krijoi një ndryshim të rëndësishëm.Teksa gratë morën role drejtuese në kooperativa dhe ferma, ato filluan të formësojnë të ardhmen e sektorit të kafesë. Shumë nga grupet më të suksesshme sot udhëhiqen nga gra dhe fokusohen jo vetëm në fitim, por edhe në edukim, mirëqenie familjare dhe stabilitet afatgjatë të komunitetit. Ekziston një thënie e njohur:

“Nëse edukon një burrë, edukon një individ. Nëse edukon një grua, edukon një brez të tërë.”

E njëjta gjë vlen edhe për fuqizimin ekonomik. Kur një grua fiton jetesën përmes kafesë, përfitimet përhapen përtej saj — tek familja, komuniteti dhe brezat që vijnë.

Ndikimi më i gjerë shoqëror

Përtej punës me kafen, gratë në Rwanda morën përsipër shumë role tradicionale që më parë mbaheshin nga burrat për të ndihmuar në rindërtimin e vendit. Përpjekjet e tyre sollën ndryshime të rëndësishme në të gjithë shoqërinë:

  • Lidership politik: Rwanda sot ka përqindjen më të lartë të grave në parlament në botë, me 64% përfaqësim.
  • Reformë ligjore: Ligjet u ndryshuan, duke i lejuar grave të zotërojnë dhe trashëgojnë prona.
  • Shëndetësi dhe edukim: Përmirësimet në këto fusha rritën pritshmërinë e jetëgjatësisë nga 48 në 58 vjeç dhe siguruan edukim më të mirë për fëmijët.

Një filxhan që mbart një histori

Për ne që punojmë me kafen Specialty është e lehtë të përqendrohemi tek përshkrimet e shijes: aciditet i ndritshëm, nota frutash të kuqe, aromë florale. Por çdo kafe mbart një histori shumë më të thellë. Herën tjetër që pini kafe nga Rwanda, kujtoni se ajo mund të ketë kaluar nëpër duart e grave që rindërtuan jetën dhe komunitetet e tyre nga e para. Gra që transformuan një histori dhimbjeje në një histori rezistence dhe shprese. Në këtë kontekst, kafeja nuk është thjesht një pije. Ajo është një simbol mbijetese. Një katalizator për ndryshim shoqëror. Dhe në shumë mënyra, themeli i një matriarkati të heshtur — të ndërtuar jo mbi pushtetin, por mbi këmbënguljen dhe solidaritetin. Sepse ndonjëherë, një filxhan kafeje mund të mbajë brenda tij historinë e një vendi që u rindërtua — dhe të grave që e bënë këtë të mundur.

Columbia Supremo