Nëse versioni anglisht i blogut është i fokusuar më shumë tek Vala e Tretë dhe Kafja Specialty, versioni në Shqip ka një fokus paksa ndryshe: Të ndërgjegjësojë lexuesit Shqiptarë rreth gjendjes aktuale të industrisë së kafes në Shqipëri, duke e krahasuar atë me vendet e tjera, si dhe të informojë sa më shumë që kosumatorët e kafes të bëjnë zgjedhje të ndërgjegjshme dhe jo thjesht zgjedhje të leverdisshme. Nuk m’u desh shumë të kuptoja që ky ishte misioni i “Albanian Edition”. Industria e kafes në vendin tonë është e mbushur me mite, legjenda, paradokse, dhe mungesë informacioni.

Çfarë kulture kemi ne për sa i përket kafes?

Faktorët historikë, socialë dhe demografikë kanë pasur një impakt të madh në krijimin e kulturës sonë të kafes, e cila është rrënjosur thellë në identitetin tonë kulturor. Pushtimi Otoman, ndikimi Italian, situata e vështirë ekonomike janë mpleksur çuditshëm dhe kanë prodhuar atë që ne përjetojmë çdo ditë: Një popull tejet kafedashës, por një industri që refuzon ta lërë pas të kaluarën dhe të shohe drejt Perëndimit. Është krijuar kështu një rreth vicioz : Biznese kafeje që e trajtojnë kafen si të ishte ar i zi, pa u shqetësuar për cilësinë e saj apo profilin e shijes dhe konsumatorë të keqinformuar, sepse tregu i bën të mendojne që kafja është thjesht aq. Një pije e hidhur që do 2 paketa sheqeri që të përtypet, dhe një gotë ujë në fund për të shpëlarë shijen e djegur, por të paktën është e lirë, të mban zgjuar, dhe “ulja në kafe” është mënyrë e mirë për të shtyrë kohën. Është pikërisht kjo mendësi që e ka penguar Shqipërinë të kapë ritmin dhe të zhvillojë industrinë e kafes siç duhet.

E cili na qenka ky “ritmi i duhur”?

Është shumë sfiduese të shpjegosh dicka të paprekshme, megjithatë artikujt e “Albanian Edition” do të kenë pikërisht këtë pikësynim: Të shpjegojnë ku kemi ngecur, me shpresën që ndërgjegjësimi i përbashkët dhe masiv do të sjellë ndryshimin e duhur në kulturën tonë të kafes. Me shpresën se një ditë, kafene do të hapin vetëm ata që marin pak erë nga kafeja, me shpresën që kolltuqet luksoze dhe kapuçinot me bustinë do t’i lëmë bashkë me dekadën që po ikën.

Mungesa e informacionit- rrënja e problemit?

Mund të duket shumë ambicioz si mision, por di të them që dija është fuqi dhe fundja revolucionet nuk lindin nga hici. Një shkëndijë informacioni mund të bëjë mrekulli! Shkëndija ime ishte një event degustimi kafeje ne Mbreterinë e Bashkuar! Aty arrita të kuptoj nëpër sa duar kalon kafeja që të vijë nga bima në filxhan, sa nuanca shijesh ka ajo (fakt i shpejtë: më shumë se vera, plot 700!) Kuptova se sa rëndësi ka pjekja e lehtë (light roast) që t’i lejojë këto nuanca të dalin në pah. Kuptova se kafja është një pije me shumë karakter: Origjina, varieteti i bimës, procesi i trajtimit pasi ajo vilet, pjekja dhe bërja e ekzekutuar siç duhet, ndikojnë të gjitha në rezultatin final. Më pas, gjithçka u bë më e qartë: S’është çudi që kafenetë atje ishin aq modeste. Nuk kishin 4 televizorë, mure të veshur me pllaka te shtrenjta, kameriere te krekosur me këmisha të bardha dhe pije me shllak dhe shurup ne menu. Kishte hapsira te dizenjuara kaq thjesht dhe bukur, me tulla dhe dru te ricikluar, vetëshërbim por baristë tejet profesionistë dhe menu të konceptuara siç duhet. Nuk më cudit që të gjitha këto të cojnë po tek rrethi vicioz që përmenda më parë. Një rreth që e mban gjallë e njëjta filozofi prej dekadash të tëra : « kafja është një pije e hidhur që do 2 paketa sheqeri që të përtypet dhe një gotë ujë në fund për të shpëlarë shijen e djegur ».

Columbia Supremo

Pin It on Pinterest